
Nga UAE deri te shpallja i pafajshëm: një udhëtim gati 30 vjeçar.
Gati 30 vite më parë Z. A.B. (iniciale fiktive) largohet nga Italia për t’u kthyer në vendin e origjinës, pa e pasur idenë që, kundër tij, po zhvillohej një proces penal.
Jeta vijon e qetë në atdhe, ndërsa në Itali, brenda një hetimi shumë të madh, ai dënohet me 15 vite burgim me akuzen e pjesmarrjes në një grup të strukturuar kriminal për trafikun e lëndëve narkotike. Këtë e zbulon rastësisht në fillim të vitit 2024, kur hyn në një Shtet të Bashkimit Europian. Aty ndalohet dhe arrestohet në ekzekutim të një Urdhëri Arresti Europian (UAE) të lëshuar nga Italia disa vite më parë. Është ky momenti kur ai, për herë të parë, vjen në dijeni se ishte i pandehur.
Pas disa muajsh burgim në shtetin tjetër (të nevojshëm për kontrollet ligjore të dorëzimit/ekstradimit), bëhet dorëzimi te autoritetet italiane dhe vendosja e masës së sigurisë.
Familjarët i drejtohen menjëherë dhe me besim të plotë Zyrës sonë dhe, në bashkëpunim me avokatët e shtetit ku klienti ndodhej fillimisht në masë arresti, nisim shqyrtimin e çështjes.
Fillimisht rindërtojmë të gjithë historinë duke lexuar dhe studiuar mijëra faqe të përmbajtura ne mbi 100 dosjet vëllimore te procesit (te glitha në letër duke qenë se çështja ishte shumë e vjetër) dhe i parashtrojmë Gjykatës faktin që i pandehuri nuk kishte patur dijeni, deri në momentin e arrestimit, për procesin e zhvilluar . Kërkohet rivendosja në afat për t’ia kthyer “orën e të drejtave” në kohën e duhur dhe kërkesa pranohet. Falë kësaj, nga ai moment, Z. A.B. mundi të ushtrojë të drejtën e ankimimit ndaj sentencës së dënimit marrë në mungesë të tij. Pra, rihapet mundësia për apel.
Në Gjykatën e Apelit ndryshon gjithshka.
Një punë e gjatë dhe e mundimshme, sepse vëllimi i punës dhe vështirësitë qenë të mëdha, por nuk munguan për asnjë moment, dëshira dhe përkushtimi total ndaj çështjes. U përpoqëm të nxirrnim në pah të gjitha gabimet e gjykimit në shkallë të parë dhe t’i tregonim Gjykatës së Apelit se klienti ynë nuk kishte qenë pjesëmarrës në fakte. Gjykata e Apelit e Milanos rivlerësoi gjithçka që paraqitëm: dëshmitë, përgjimet, tabulatet telefonike, ndjekjet/hetimet. Thirrja në bashkëfajësi që përmendte emrin e tij nuk mbështetej në prova të jashtme, specifike dhe individuale (neni 192 c.p.p., Kodi i Procedurës Penale) ndërsa kontaktet familjare mbetën neutrale dhe verifikimet nuk arritën të mbyllnin qarkun mbi rolin apo sjelljen e tij.
Përfundimi është i qartë:
shpallja e pafajësisë “sepse i pandehuri nuk e ka kryer veprën” (neni 530 c.p.p.) dhe heqja e masës së sigurimit me lirim të menjëhershëm nga burgu.
Menjëherë pas gjykimit, hapet edhe faqja e fundit: depozitojmë kërkesën e dëmshpërblimit për heqje të padrejtë të lirisë, proporcional me ditët e humbura të lirisë pa arsye të ligjshme dhe dëmit të pësuar nga kjo.
Çfarë vendosi Gjykata (me pak fjalë)
-
Shpalljen të pafajshëm për akuzat në fushën e lëndëve narkotike (nenet 73 dhe 80 të D.P.R. 309/1990) dhe për hipotezën e grupit të strukturuar kriminal(neni 74).
-
Thirrja në bashkëfajësi vlen vetëm nëse ka prova të jashtme, specifike dhe individuale; lidhjet familjare ose kontaktet neutrale nuk mjaftojnë.
-
Asnjë provë individuale nuk e lidh Z. A.B. me dorëzimet, marrëveshjet apo përfitimet e paligjshme dhe treguesit nuk e kalojnë dyshimin e arsyeshëm.
-
Lirim të menjëhershëm, pasi ranë të gjitha premisat për të mbajtur akoma masën e sigurisë me arrest në burg.
Pse ky vendim është i rëndësishëm?
Sepse kujton që afërsia dhe lidhja familjare nuk perkthehen automatikisht në fajësi apo në pjesmarrje në grup kriminal. Pa prova konkrete dhe të vërtetuara, nuk duhet të ketë dënim dhe ai që nuk është vënë në kushtet për t’u mbrojtur duhet të mund t’i rifitojë të drejtat e tij.
Metoda jonë
-
Përgatitja e duhur, puna e zellshme dhe metoda e aplikuar, duke besuar që ishim gjithmonë në drejtimin e duhur, ishin pikët tona në favor.
-
Parashtruam mungesën e dijenisë për procesin dhe morëm rivendosjen në afat.
-
Ndamë shumë fakte nga interpretimet e mëparshme, duke treguar mungesën e verifikimeve të personalizuara.
-
Gjithashtu, një vlerësim i kujdesshëm i gjithë akteve tona nga ana e trupit gjykues, ndihmoi në shpalljen e pafajësisë.
Këtu gjeni vendimin e Gjykatës në pdf. Këtu gjeni artikullin në italisht 🇮🇹 Mos hezitoni te na kontaktoni, jemi të kënaqur nëse do të mund t'ju ndihmojmë.
Pyetje të shpeshta (FAQ)
Çfarë është Urdhri i Arrestimit Europian (UAE)?
Është një urdhër arresti i vlefshëm ndërmjet shteteve të BE-së. Shteti ku gjendet personi (i kërkuar nga një shtet tjetër i BE-së) e arreston dhe, pas kontrolleve, e dorëzon te shteti që e ka lëshuar urdhrin, për gjykim ose për ekzekutim dënimi.
Çfarë do të thotë “rivendosje në afat”?
Është instrumenti që lejon të rikuperohet një afat i skaduar (p.sh. për apel) kur i interesuari nuk ka mundur ta respektojë (jo për faj të tij), si në rastin kur nuk ka qënë në dijeni për procesin. Me rivendosjen në afat, ankimimi mund të paraqitet sikur afati të mos ketë kaluar akoma.
Çfarë janë “provat e jashtme individuale”?
Janë prova të pavarura dhe specifike (dokumenta, sekuestrime, vëzhgime të drejtpërdrejta, gjurmime) që e lidhin pikërisht atë person me veprën penale. Pa to, deklarimet e dëshmitarëve nuk mjaftojnë.
Çfarë është dëmshpërblimi për heqje të padrejtë të lirisë?
Kujt i është hequr liria dhe më pas shpallet i pafajshëm (ose në raste të tjera të parashikuara nga ligji) mund të kërkojë në Gjykatën e Apelit një dëmshpërblim ekonomik (nenet 314–315 k.p.p.), me kusht që të mos ta ketë shkaktuar vetë masën, me qëllim apo faj të rëndë.
®𝑹𝒊𝒑𝒓𝒐𝒅him i ndaluar
Aksidentet rrugore dhe dëmshpërblimi në Itali, si duhet të sillem?
Inovacionet kryesore të Reformës së Kodit Rrugor në 2023: çfarë ndryshon dhe çfarë duhet të dini?
