Dekreti i Flukseve, 450 mijë kuota hyrjeje për periudhën 2023-2025.
Dekreti i Flukseve i Presidentit të Këshillit të Ministrave i datës 27 shtator 2023, i titulluar “Planifikimi i flukseve të hyrjes legale në Itali për punëtorët e huaj për periudhën trevjeçare 2023-2025”, është publikuar dje në Fletoren Zyrtare. Ky Dekret përmban dhe parashikon kriteret për përcaktimin e flukseve, brenda dhe jashtë kuotave, përcakton kuotat për periudhën trevjeçare si dhe parashikon procedurat që do të duhet të ndiqen.
Kuotat, të cilat parashikohen për lloje të ndryshme pune dhe punëtorësh, shpërndahen në tre vjet. Dita e parë e aplikimit është caktuar nga qeveria italiane për në 2 dhjetor 2023, në orën 09:00.
452 000 shtetas të huaj do të pranohen në Itali për arsye pune vartëse sezonale, josezonale dhe vetëpunësim, të ndara si më poshtë:
a) 136.000 për vitin 2023
b) 151.000 për vitin 2024;
c) 165.000 për vitin 2025
Ndër këto kuota të përgjithshme, do të pranohen në Itali për punë josezonale (vartëse dhe në vetëpunësim), në sektorët e transportit rrugor të mallrave për llogari të të tretëve, ndërtimtit, turizëm-hotelerisë, mekanikës, telekomunikacionit, ushqimores, ndërtimit të anijeve, transportit të pasagjerëve me autobus, peshkimit, parukierëve, elektricistëve dhe hidraulikës, shtetasit e huaj sipas kuotave të mëposhtme:
a) 53.450 njësi për vitin 2023, nga të cilat 52.770 për punë vartëse dhe 680 për vetëpunësim;
b) 61.950 njësi për vitin 2024, nga të cilat 61.250 për punë vartëse dhe 700 për vetëpunësim;
c) 71.450 njësi për vitin 2025, nga të cilat 70.720 për punë vartëse dhe 730 për vetëpunësim.
Kuota specifike ju janë rezervuar punëtorëve të punësuar me kontratë josezonale në sektorin e asistencës familjare dhe të kujdesit social-shëndetësor,(colf, badante) si më poshtë:
a) 9.500 njësi në 2023
b) 9.500 njësi në 2024
c) 9.500 njësi në 2025
Po brenda kuotave të përgjithshme, pranohen në Itali për punë vartëse sezonale në sektorin bujqësor dhe turizëm-hoteleri shtetas të huaj me banim jashtë vendit, sipas kuotave të mëposhtme:
a) 82.550 njësi për vitin 2023
b) 89.050 njësi për vitin 2024
c) 93.550 njësi për vitin 2025
Përsa i përket kohëve që duhen respektuar, duhet pasur parasysh që kuotat e vitit 2023 mund të kërkohen:
1- nga data 2 dhjetor, për punëtorët e punësuar josezonalë, shtetas të vendeve që kanë marrëveshje bashkëpunimi me Italinë;
(Shqipëri, Algjeri, Bangladesh, Bosnje-Hercegovinë, Kore (Republika e Koresë), Bregu i Fildishtë, Egjipt, El Salvador, Etiopi, Filipine, Gambia, Gjeorgji, Gana, Japoni, Jordanië, Guatemalë, Indi, Kirgistan, Kosovë, Mali, Marok, Mauritius, Moldavi, Mali i Zi, Niger, Nigeri, Pakistan, Peru, Republika e Maqedonisë së Veriut, Senegal, Serbi, Sri Lanka, Sudan, Tunizi, Ukrainë)
2- nga 4 dhjetori për punëtorët e tjerë vartës josezonalë
3- nga 12 dhjetori për punëtorët sezonalë
Mund të kërkohen deri në mbarim të kuotave ose deri më 31 dhjetor të çdo viti.
Punëdhënësi që synon të kërkojë kuotën e hyrjes duhet të vihet ne kontakt me Qendrën lokale të Punësimit për të verifikuar disponibilitetin e një punëtori të pranishëm në Itali, qoftë italian apo i huaj me lejeqëndrim, të disponueshëm për të njëjtin rol. Për ta konsideruar të përmbushur këtë kusht, duhet të ndodhë, në mënyrë alternative, një nga rastet e mëposhtme:
- Mungesa e përgjigjes, brenda 15 ditëve pune, nga Qendra e Punësimit. Meqenëse bëhet fjalë për ditë pune dhe jo ditë kalendarike, koha në të vërtetë e nevojshme do të jetë 3 javë;
- Mospërshtatshmërinë e punëtorit të dërguar nga Qendra, pas intervistës me vetë punëtorin, ose;
- Mosparaqitja, pa shkaqe të arsyeshme, e punëtorëve të dërguar nga Qendra pas, së paku, 20 ditë pune nga kërkesa.
Pasi të përmbushet njëri nga kushtet e përshkruara më sipër, do të kërkohet një vetë-çertifikim nga punëdhënësi.
Dispozitat e mëtejshme zbatuese do të publikohen së shpejti me një qarkore të përbashkët nga Ministria e Brendshme, Ministria e Punës dhe Politikave Sociale, Ministria e Bujqësisë, Sovranitetit Ushqimor dhe Pylltarisë dhe Ministria e Turizmit, pas konsultimit me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe ndërkombëtare.
Këtu gjeni Dekretin e publikuar në Fletoren Zyrtare.
Ndiqni faqet e Zyrës dhe ato Social për të zbuluar të rejat e fundit në lidhje me dokumentacionin e nevojshëm.
®𝑹𝒊𝒑𝒓𝒐𝒅𝒖𝒛𝒊𝒐𝒏𝒆 𝒓𝒊𝒔𝒆𝒓𝒗𝒂𝒕𝒂
Dekreti i Flukseve 2022-2023: cilat dokumente nevojiten, si të aplikoni…?