Shtetësia italiane: cilat janë kërkesat dhe kushtet?
Termi “shtetësi” tregon një lidhje ndërmjet individit dhe shtetit, status të cilit sistemi juridik i njeh mundësinë për të ushtruar plotësisht të drejtat civile, politike dhe sociale.
Shtetësia italiane rregullohet nga ligji i 5 shkurtit 1992, nr. 91 (si dhe rregulloret e përshtatjes, Dekreti i Presidentit nr. 12 tetor 1993, nr. 572 dhe dekreti i presidentit i 18 prillit 1994 nr. 36), i cili rregullon mënyrat e marrjes, humbjes dhe rimarrjes.
Le të zbulojmë tani, më në detaje, se si të merrni nënshtetësinë italiane.
Shtetësia italiane merret:
- për lindje prej prindërve italianë (natyrorë ose birësues) (neni 1);
- për martesë (nenet 5 dhe 6);
- per natyralizim (neni 9);
- për përfitim nga ligji (neni 4).
Shtetësia për lindje
Është shtetas italian nga lindja:
- fëmija i lindur nga një baba ose nëne që janë shtetas italianë (i ashtuquajturi iure sanguinis);
- i linduri në territorin italian nëse të dy prindërit janë të panjohur ose pa shtetësi (i ashtuquajturi iure soli);
- fëmija i personave të panjohur i gjetur në territorin e Republikës së Italisë nëse nuk provohet posedimi i një shtetësie tjetër (i ashtuquajturi ius soli residuale);
- i mituri i njohur nga prindi italian ose në vijim të deklaratës gjyqësore të përkatësisë;
- i mituri i birësuar nga një shtetas italian është shtetas nga lindja.
Shtetësia për martesë
Shtetasi i huaj ose personi pa shtetësi mund të aplikojë për nënshtetësi italiane për martesë nëse është i martuar me një shtetas italian. Në veçanti, personi që martohet me një shtetas italian dhe është rezident në Itali, mund të aplikojë për shtetësi të paktën dy vjet pas datës së martesës ose marrjes së shtetësisë nga bashkëshorti i natyralizuar. Në rast se cifti është rezident jashtë vendit, do të mund të aplikojë pas të paktën tre vjetësh. Të dyja këto afate përgjysmohen në prani të fëmijëve të lindur ose të birësuar nga bashkëshortët.
Kërkesa për fitimin e nënshtetësisë italiane me martesë lidhet me statusin e të qënit bashkëshort i një shtetasi italian prandaj, ndërkohë që jeni në pritje të vendimit për kërkesën e shtetësisë, nuk duhet të ketë vendim me zgjidhje, anullim ose përfundim të martesës ose bashkëjetesës me kontratë.
Dokumentet e nevojshme për të paraqitur kërkesën tuaj për shtetësi me martesë janë:
1) Çertifikata e martesës, akti i plotë ose kopje e plotë e vërtetuar;
2) Çertifikatë lindjeje nga Shqipëria, e përkthyer dhe e apostiluar;
KUJDES, në alternativë mund ta merrni këtë çertifikatë edhe në ambasadë/konsullatë në Itali, por duhet ta pajisni me vulë apostile në Prefekturën përkatëse dhe duhet ta përktheni nga një përkthyes i njohur nga shteti italian.
3) Vërtetim i gjendjes gjyqësore në Shqipëri, të përkthyer dhe të apostiluar (nuk do të jetë e nevojshme nëse shtetasi ka lindur në Itali ose ka banuar në Itali para moshës 14 vjeç. Kini parasysh që çertifikata është e vlefshme vetëm për 6 muaj.);
KUJDES, duhet të merrni këtë lloj çertifikate në secilin shtet ku keni patur vendbanimin të rregullt.
4) Fotokopje të vlefshme e pashaportës ose kartës së identitetit italiane;
5) Fotokopje e një leje qëndrimi të vlefshme (qytetarët e një shteti të BE-së duhet të paraqesin certifikatën e qëndrimit të përhershëm);
6) Çertifikatë e njohjes së gjuhës italiane në një nivel jo më të ulët se B1 lëshuar nga një shkollë publike ose e certifikuar, ose nga një organ certifikues. Kjo çertifikatë nuk është e nevojshme për mbajtësit e një leje qëndrimi afatgjatë të BE-së dhe për ata që kanë nënshkruar marrëveshjen e integrimit të përmendur në nenin 4 bis të T.U referuar në Dekretin Legjislativ nr.286/1998, si dhe për ata që kanë mbaruar një cikël shkollor në Itali.
7) Çertifikata e gjëndjes familjare;
8) Dokument identifikimi i bashkëshortit italian dhe data e betimit nëse bashkëshorti është natyralizuar.
Aplikimit duhet t’i bashkangjiten pulla e taksës prej 16,00 € dhe vërtetimi i pagesës së kontributit prej 250,00 €
KUJDES, prej datës 4 korrik 2022 pagesa duhet kryer nëpërmjet PagoPa dhe jo më me modulin e parapërgatitur.
Shtetësia prej vendbanimit
Shtetësia italiane mund të kërkohet edhe për natyralizim. Në këtë rast, kusht thelbësor është qëndrimi i regjistruar i pandërprerë, për një periudhë të paktën 10-vjeçare (neni 9, gërma f), me përjashtim të disa rasteve të veçanta të përshkruara në nenin 9 për të cilat duhen:
- 3 vjet qëndrim te vazhdueshëm për shtetasin e huaj, babai, nëna ose njëri nga gjyshërit e të cilit kanë qenë shtetas italianë nga lindja, si dhe për shtetasin e huaj që ka lindur në Itali;
- 5 vjet qëndrim për të huajin në moshë madhore, të birësuar nga shtetas italian, duke filluar nga momenti i birësimit;
- 5 vjet për një shtetas të huaj që ka shërbyer – edhe jashtë vendit – nën varësinë e shtetit italian;
- 4 vjet qëndrim në Itali për shtetasin e BE-së;
- 5 vjet qëndrim për shtetasin pa shtetësi;
- 5 vjet vendbanim për refugjatët politikë.
Ju lutemi, vini re se vendbanimi duhet të jetë domosdoshmërisht i vazhdueshëm dhe i pandërprerë.
Përveç numrit të viteve të qëndrimit të vazhdueshm dhe të pandërprerë, kusht tjetër për të aplikuar për nënshtetësi me natyralizim janë të ardhurat e mjaftueshme personale ose familjare. Të ardhurat që duhet të merren parasysh janë ato të 3 viteve para aplikimit për nënshtetësinë italiane, në kufijtë vjetorë të mëposhtëm:
- 8,263,31 € për një person të vetëm në njësinë familjare;
- 11,362,05 € për aplikantin me bashkëshorten në ngarkim, me një rritje prej 516,00 € për çdo person në ngarkim brenda njësisë familjare.
Dokumentet e nevojshme për të paraqitur kërkesën tuaj për shtetësi sipas vendbanimit janë si më poshtë.
1) Çertifikatë lindjeje shqiptare e përkthyer dhe e apostiluar;
KUJDES, mund të merrni këtë çertifikatë edhe në ambasadë/konsullatë në Itali, por duhet ta përktheni tek një përkthyes i njohur nga shteti italian dhe ta pajisni me vulë apostille në Prefekturën përkatëse.
2) Vërtetim i gjendjes gjyqësore në Shqipëri, të përkthyer dhe të apostiluar (nuk do të jetë e nevojshme nëse shtetasi ka lindur në Itali ose ka banuar në Itali para moshës 14 vjeç. Kini parasysh që çertifikata është e vlefshme vetëm për 6 muaj);
KUJDES, duhet të merrni këtë lloj çertifikate në secilin shtet ku keni patur vendbanimin të rregullt.
3) Fotokopje të vlefshme të pashaportës ose kartës së identitetit italiane;
4) Fotokopje të një leje qëndrimi të vlefshme (qytetarët e një shteti të BE-së duhet të paraqesin certifikatën e qëndrimit të përhershëm);
5) Çertifikata historike e vendbanimit (nëse keni qenë banues në disa bashki italiane, duhet të kërkoni një për çdo bashki ku keni banuar);
6) Çertifikatë e njohjes së gjuhës italiane në një nivel jo më të ulët se B1 lëshuar nga një shkollë publike ose e certifikuar, ose nga një organ certifikues. Kjo certifikatë nuk është e nevojshme për mbajtësit e një leje qëndrimi afatgjatë të BE-së dhe për ata që kanë nënshkruar marrëveshjen e integrimit të përmendur në nenin 4 bis të T.U referuar në Dekretin Legjislativ nr.286/1998, si dhe për ata që kanë mbaruar një cikël shkollor në Itali.
7) Çertifikata e gjendjes familjare;
8) Modeli CU, UNICO ose Modeli 730 i tre viteve të fundit;
9) Pyetësor i ri – Test për të huajt për të plotësuar, nënshkruar dhe ngarkuar në portal.
Duhet t’i bashkëngjiten edhe pulla e taksës prej 16,00 € dhe vërtetimi i pagesës së kontributit prej 250,00 € .
KUJDES, prej datës 4 korrik 2022 pagesa duhet kryer nëpërmjet PagoPa dhe jo më me modulin e parapërgatitur.
Së fundi, në bazë të nenit 4 të ligjit nr. 91/1992, shtetësia mund të fitohet falë ligjit. Per shembull, i huaji i lindur në Itali dhe banues në territorin italian deri në mbushjen e moshës madhore mund të bëhet shtetas italian nëse, brënda moshës 19 vjeçare, shpreh vullnetin e tij për marrjen e shtetësisë italiane.
Aplikimi për shtetësi duhet të kryhet nëpërmjet një kërkese drejtuar Ministrisë së Brendshme, në portalin e dedikuar ALI (ku mund të hyni pasi të jeni pajisur me SPID) ose, nëse aplikanti banon jashtë Italisë, edhe ndërmjet autoritetit diplomatik italian në shtetin e rezidencës aktuale.
Aktualisht, kohëzgjatja e procedurës është parashikuar në 24 muaj, por mund të shtyhet dhe për 12 muaj të tjerë, në rast se do të jenë të nevojshmekontrolle dhe verifikime më të detajuara nga ana e organeve përkatëse.
Nëse keni paraqitur dokumentacion të rregullt e të vlefshëm por procedura nuk mbyllet brënda afatit, mund të na kontaktoni në mënyrë që të marrim menjëherë kontakt me autoritet përkatëse.
Shumë e rëndësishme: nëse keni qënë ndonjëherë të dënuar në Itali, duhet bërë më parë rehabilitimi dhe duhet të siguroheni që lloji i dënimit nuk është pengues, pasi kjo sjell refuzimin e praktikës.
Artikuj të tjerë ⬇️
Divorci i dy shtetasve jo komunitar me banim ne Itali – cili ligj zbatohet?
Aksidentet rrugore dhe dëmshpërblimi në Itali, si duhet të sillem?