DEKRETI I FLUKSEVE 2022

Dekreti i Flukseve 2022-2023: cilat dokumente nevojiten, si të aplikoni…?

Pas publikimit të një artikulli të shkurtër në faqen internet të zyrës dhe në rrjetet sociale, persona të interesuar për të hyrë ligjërisht në Itali na drejtuan pyetje të shumta. Me këtë artikull  përpiqemi të hedhim pak dritë.

Me Dekret të Presidentit të Këshillit të Ministrave (i ashtuquajturi DPCM) të datës 29 dhjetor 2022, u miratua planifikimi i flukseve hyrëse të punëtorëve nga vendet jashtë BE-së në territorin e shtetit italian për vitin 2022. Shkurtimisht, kjo është ajo që ne të gjithë e njohim si Dekreti i Flukseve. Është publikuar në Fletoren Zyrtare më 26 janar 2023 dhe aplikimet mund të kryhen online, në faqen e Ministrisë së Brendshme, duke filluar nga ora 9 e mëngjesit të datës 27 mars 2023. Afati i fundit për paraqitjen është data 31 dhjetor 2023.

Megjithatë, rekomandohet fuqimisht që, për të arritur të merrni kuotën, të bëni aplikimin menjëherë pas hapjes së procedurës.

Shumë nga pyetjet që na u drejtuan kishin të bënin me sektorët e prekur nga kuotat. Fillimisht duhet të dimë se kuotat totale në dispozicion janë 82 705, të shpërndara si më poshtë:

  • 44 000 kuota do të rezervohen për punë vartëse sezonale, vetëm në sektorët e bujqësisë dhe hoteleri-turizmit.
  • 38 705 kuota do të rezervohen për hyrje në punë vartëse jo-sezonale, vetëpunësim dhe konvertime. Në këtë rast, sektorët në fjalë janë më shumë dhe, konkretisht, janë ndërtimi, mekanika, komunikacioni, ushqimori, ndërtimi i anijeve, turizëm-hoteleria dhe transporti rrugor i mallrave për palët e treta. Përsa i përket sektorit të transportit rrugor, duhet pasur parasysh se punëtori i kërkuar duhet të jetë i pajisur me patentë me kualifikim CQC. Leja e drejtimit të tipit B nuk është e mjaftueshme.

Gjithësesi, për t’u siguruar që aktiviteti bën pjesë në sektorët e lejuar, punëdhënësit mund të kontaktojnë kontabilistët e tyre të cilët kanë, me siguri, një pamje të plotë të veprimtarisë së kryer dhe të kontratave kolektive të zbatueshme për çdo kompani apo artizan.

Një parantezë e vogël mbi kuotat sezonale, ndër të cilat, 22 000 hyrje në sektorin e bujqësisë (pra gjysma e kuotave) do të rezervohen për aplikimet e paraqitura nga Organizatat Profesionale të punëdhënësve (p.sh. Confagricoltura, Coldiretti, etj.). Prandaj do të ishte e preferueshme që punëdhënësi t’ju drejtohej këtyre organizatave për paraqitjen e kërkesës pasi, duke pasur parasysh shifrat, ka më shumë shanse për të marrë kuotën.

Duke hyrë në specifikat e pyetjeve që na janë bërë, është e nevojshme të theksohet se punëtori duhet të jetë në vendin e origjinës sepse, në përfundim të procedurës, pasi të ketë marrë autorizimin për të punuar, do të duhet të shkojë në ambasadën/konsullatën italiane në vendin e tij, për të marrë një vizë hyrje për në Itali.

Lejet e qëndrimit të konvertueshme, si për punësim vartës ashtu edhe për vetëpunësim, janë ato për arsye studimi, praktike dhe/ose trajnimi dhe lejet e qëndrimit të BE-së për banorët afatgjatë (e ashtuquajtura Carta di Soggiorno) të lëshuara nga një vend tjetër i Bashkimit Europian. Duhet të kemi parasysh gjithashtu se, për konvertimet, nuk është e nevojshme t’ju përmbaheni sektorëve të lartpërshkruar.

Lejet e qëndrimit të lëshuara për arsye shëndetësore ose për kërkesë azili nuk mund të konvertohen në bazë të Dekretit të Flukseve.

Për informacione të mëtejshme teknike, do të duhet të priten udhëzime nga ministritë e përfshira. Është e rëndësishme që të mos humbisni kohë sepse këtë vit, ndryshe nga sa ndodhi me Dekretet e viteve të mëparshme, punëdhënësi që synon të kërkojë kuotën e hyrjes duhet të vihet ne kontakt me Qendrën lokale të Punësimit për të verifikuar disponibilitetin e një punëtori të pranishëm në Itali, qoftë italian apo i huaj me lejeqëndrim, të disponueshëm për të njëjtin rol. Për ta konsideruar të përmbushur këtë kusht, duhet të ndodhë, në mënyrë alternative, një nga rastet e mëposhtme:

  1. Mungesa e përgjigjes, brenda 15 ditëve pune, nga Qendra e Punësimit. Meqenëse bëhet fjalë për ditë pune dhe jo ditë kalendarike, koha në të vërtetë e nevojshme do të jetë 3 javë;
  2. Mospërshtatshmërinë e punëtorit të dërguar nga Qendra, pas intervistës me vetë punëtorin, ose;
  3. Mosparaqitja, pa shkaqe të arsyeshme, e punëtorëve të dërguar nga Qendra pas, së paku, 20 ditë pune nga kërkesa.

Pasi të përmbushet njëri nga kushtet e përshkruara më sipër, do të kërkohet një vetë-çertifikim nga punëdhënësi me anë të një deklarate.

Së fundi, duke kaluar te aplikimi, edhe këtë vit konfirmohet përdorimi i SPID-it, i cili mund të jetë i punëdhënësit ose i profesionistit të caktuar nga i njëjti.

Një tjetër gjë e rëndësishme që duhet mbajtur parasysh është se punëdhënësi nuk duhet të ketë kryer në 6 muajt e fundit asnjë pushim nga puna të personelit në rolin për të cilin synon të kërkojë kuotën.

Një ndryshim i rëndësishëm në krahasim me flukset e fundit është se dokumentacioni duhet të ngarkohet bashkë me aplikimin. Arsye për të cilën, për një prezantim korrekt të aplikimit, do të jetë i nevojshëm bashkëpunimi i plotë i profesionistëve që ndihmojnë punëdhënësin në aktivitetin e tij; domethënë, kontabilisti dhe konsulenti i punës.

 

WhatsApp DesktopKontakti i Zyrës në WhatsApp 

 

Bisedat në WhatsApp, mund të përdoren si provë në gjyq?

Divorci i dy shtetasve jo komunitar me banim ne Itali – cili ligj zbatohet?

Aksidentet rrugore dhe dëmshpërblimi në Itali

2 comments on “Dekreti i Flukseve 2022-2023: cilat dokumente nevojiten, si të aplikoni…?